Mediumi KosovaNews, i cili ka publikuar një seri hulumtimesh lidhur me kompanitë e vëllezërve Devolli thotë se ka zbardhur se pronësia e pothuajse të gjitha kompanive të Devollëve, si: Art Motion, KlanKosova, kompanitë energjetikës solare, etj. përfundonte tek disa kompani të tjera të regjistruara jashtë vendit dhe me pasaporta të Serbisë.
Në publikimin e sotëm, raportohet se në Maqedoninë Veriore, dy nga këto kompani dolën të jenë të regjistruara si invesim i huaj (në Maqedoni të Veriut) nga Serbia. Për regjistrimin e këtyre kompanive janë përdorur pasaporta serbe e të lëshuara për qytetarë të Republikës së Kosovës, ku figuronin adresa si: “Peç, Srbija”, pastaj “Djakovica, Srbija”. Sipas hulumtimit, këto shkelin Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Hulumtimi sugjeron se në fletë-regjistrimet e këtyre kompanive emrat e vëllezërve multi-milionerë Devolli nuk figuronin dhe se në këto kompani figurojnë në pronësi të disa të punësuarve në firmat e Devollëve.
KosovaNews hedh dyshimin se “nuk u kuptua asnjëherë prej kah këtyre “pronarëve” të këtyre kompanive të regjistruara në Shkup e gjetiu iu erdhën fondet për bërë investime milionëshe çfarë janë “Klan Kosova” e “Art Motion”.
- Advertisement -
“Persona anonimë për publikun, si: Kushtrim Gojani, nga Gjakova dhe Valon Shala, nga Peja po dalin të jenë jo vetëm punëtorë në firmat e tyre, por edhe njerëz të besueshëm të vëllezërve Devolli, Të paktën ligjërisht, këta të dy figurojnë si pronarë të dy nga bizneset më të fuqishme të Devollëve “Klan Kosova” dhe “ArtMotion”, – thuhet në raportin që publikoi KosovaNews.
Pas publikimit, nuk vonuan veprimet e institucioneve të Kosovës, konkretisht Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Fillimisht, ARBK ua pezulloi cerifikatat e biznesit Klan Kosovës e Art Motion. Pastaj, një komision i ngritur pranë këtij institucioni identifikoi edhe 48 raste të tilla, ndër to edhe mëse dhjetë biznese të Devollëve. Pas kalimit të afatit 30-ditor për ankesa, ARBK ua tërhoqi certifikatat e bizneseve, Devollët u ankuan në gjykatë. Aktualisht çështja është duke u trajtuar në Gjykatën Komerciale.
“Klan Kosova” dhe “Art Motion” dolën me njoftim se e gjithë kjo punë ishte një “teknikalitet” dhe se janë bërë përmirësimet e duhura në Shkup, rrjedhimisht ARBK duhet t’i prapësojë masat që kishte marrë në lidhje me ta.
Te rasti i “Klan Kosova”, në regjistrin tregtar maqedonas, në çertifikatën e regjistrimit të kompanisë në pronësi të Kushtrim Gojanit (e cila e ka në pronësi Klan Kosova), adresa është rregulluar. Por, tek çertifikata e pronarit të vërtetë të kësaj kompanije, tek seksioni ‘shteti’, ende figuron “Serbia”, vëren raporti i mediumit që vijon:
Kurse, tek rasti i “Art Motion”, kompania që e ka në pronësi, i ka bërë të gjitha rregullimet në Maqedoninë e Veriut, ku pronari Valon Shala i ka tërhequr dokumentet e Serbisë, duke i zëvendësuar ato me të Republikës së Kosovës.
- Advertisement -
“Pasi kompania maqedonase që ka në pronësi Art Motion në Kosovë – KG Media Ivestment DOOeL i rregulloi dokumentet, duke i hequr ato të Serbisë dhe duke i zëvendësuar ato me të Republikës së Kosovës, pronari i Klan Kosovës – Kushtrim Gojani hap “Art Motion” në Novi Sad të Serbisë, përsëri me dokumente të Serbisë.
Si duket zëvendësimi i dokumenteve serbe në fletë-regjistrimet e kompanive të tyre në Shkup, ua mbylli rrugët e të bërit biznes me kompanitë shtetërore serbe, si “ArenaSport” DOO e “Telekom Serbia” AD. Sipas këtij supozimi, Devollët u detyruan të hapin rrugë të reja të të bërit biznes, madje kësaj radhe edhe më të drejtpërdrejta…!”, thuhet në raportin e KosovaNews.
Sipas të dhënave të siguruara nga KosovaNews më 09.05.2023 në Novi Sad të Serbisë është regjistruar kompanija “Art Motion Platforma” DOO. Kjo kompani është e regjistuar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me numrin amëz: 21911747, me seli në: “‘Narodnog Fronta’ nr. 21, kati 2, banesa 207, 21000 Novi Sad, Srbija”.
- Advertisement -
Emaili zyrtar në të dhënat e kësaj kompanie serbe figuron e-mail adresa zyrtare e “Art Motion” në Kosovë: info@ArtMotion.net.
Si aksionar i vetëm i kësaj kompanije figuron shtetasi “serb” Kushtrim Gojani, me adresë: “Hisni Zajmi, Djakovica, Srbija” dhe me numër personal (serb): “1510983944711”. Veprimtaria e kompanisë (sipas NACE): “6110 – Telekomunikacione kabllore”. Llogaritë bankare të kësaj kompanije janë tek Raiffeisen Bank Serbia AD. Ndërkohë, Kushtrim Gojani, nëpërmjet firmave të veta në Shkup është pronar edhe i “Klan Kosova” shpk dhe “Klan Arena” shpk në Kosovë.
“Art Motion Platforma” në Serbi, në shtator u liçencua nga Rregullatori i Mediave në Serbi – REM
Më 9 shtator 2023, REM – Rregullatori i Mediave në Serbi (sikurse KPM tek ne) i ka dhënë “Art Motion Platforma” dy liçenca për kanale sportive në kabllor. Rregullatori serb i medieve REM është kritikuar disa herë nga shtete evropiane, sepse në së paku dy raste ka liçencuar televizione shtetërore ruse, e këto të fundit me këto liçenca kanë operuar në Evropë, duke transmetuar me IP-TV.
KosovaNews i ka dërguar zyrtarisht pyetje pronarit të Klan Kosovës njëkohësisht edhe drejtor i Art Motion në Kosovë dhe pronar i Art Motion në Serbi, Kushtrim Gojanit për ta pyetur se:
1.“Art Motion Platforma” DOO në Serbi a e keni të regjistruar për të operuar në Serbi, apo në Republikën e Kosovës?
2.Nëse ju operoni në Republikën e Kosovës me kompaninë Art Motion Sh.P.K., tek e cila jeni drejtor pse duhet të licencoheni nga REM (KPM-ja e Serbisë), shtet i cili nuk e njef, e pengon dhe frymëzon e mbështetë veprime terroriste kundër vendit tonë?
3.Kur e keni blerë programacionin e ArenaSport a i keni blerë si kompani e huaj (nga Republika e Kosovës), apo si kompani lokale e Serbisë, duke qenë se keni regjistruar me pasaportë të Serbisë?
Në vijim pati një përgjigje e dërguar nga info@Art Motion.net:
Përshëndetje,
Dëshirojmë të njoftojmë se Art Motion është në proces të zgjerimit të prezencës së saj në të gjitha shtetet e rajonit ku ka një komunitet shqiptar të pranishëm.
Qëllimi ynë është të ofrojmë program të pasur televiziv për këtë audiencë. Kemi hapur kompani në të gjitha shtetet e rajonit dhe aktualisht jemi në fazën e licensimit të kanaleve televizive.
Gjithashtu, jemi në fazën përfundimtare të negociatave për të siguruar të drejta ekskluzive sportive në gjuhën shqipe për të gjitha shtetet e rajonit.
Art Motion synon të jetë platforma e parë e licensuar rajonale dhe kemi bërë edhe nje komunikim para disa muajsh në lidhje me këtë çështje.
Në përgjigjen e dhënë nga Art Motion, nuk kanë sqaruar nëse janë regjistruar në Serbi si biznes i Kosovës, apo i Serbisë. Gjithashtu, nuk kanë dhënë përgjigje se në çfarë mënyre i kanë blerë të drejtat e transmetimit nga ArenaSport në Serbi, si kompani e huaj (nga Kosova), si investim serb në Maqedoninë e Veriut, apo si kompani serbe me seli në Novi Sad.
Hulumtimi vëren se selia e kompanisë serbe “Art Motion Platforma” është në të njejtën adresë si kompania “Granolia DOO”. “Edhe kur telefonuam në numrin e telefonit: +381 21 … që figuron tek “Art Motion Platforma”, na u lajmërua një punëtore atje në emër të Granolia. Kompanija serbe “Granolia”, sipas regjistrit tregtar serb është në pronësi të Esat Bojkut nga Peja.
Kompania nga Novi Sadi i Serbisë – Granolia DOO, që për aktivitet e ka tregtimin e drithërave, ka qenë një herë pjesëmarrëse nga Serbia në një panair të bujqësisë në Prishtinë. Gjithashtu, tek ueb-faqja e shoqatës së drithtarëve serb, figoron në listën e eksportuesëve më të medhënjë. Nuk duhet harruar se Devollët i kanë disa kompani në fushën e ushqimeve, si: M-Sillosi (drithërat dhe mielli, Xërxë), Vita (qumshti), Tango (lëngjet, fabrika në Radushë të Istogut), etj. Sipas burimeve tona, Esat Bojku është i punësuar tek auto-servisi i vëllaut të tij – Gazmend Bojkut”, thotë KosovaNews e cila i ka nisur pyetje Esat Bojkut por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Propaganda mediatike e Serbisë për rastin “Banjska”
Dy javët që lamë pas ishin shumë të bujshme me zhvillime sa i përket sigurisë në veri të vendit. Në 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës, në kuadër të zbatimit të detyrave të saj, goditi një grup të strukturuar terrorist. Më herët, në mëngjes të kësaj dite, ky grup kishte shtënë drejt zyrtarëve policorë, duke e vrarë oficerin Afrim Bunjaku, sot Hero i Kosovës dhe plagosur dy oficerë tjerë policorë.
Faktet që nxori ministria e Brendshme nxorrën sheshit karakterin e këtij grupi terrorist, personat e involvuar dhe shteti që i kishte organizuar, financuar e paisur me mjete ushtarake e logjistikë – Serbia dhe presidenti i saj autokrat – Vuçiç.
Në anën tjetër, makineria propagandistike e Serbisë, filloj t’i glorifikojë terroristët e vrarë nga forcat e rendit si “martirë”, të thurë gjithëçfarë vajtimesh, spotesh, logosh, etj. Këto përmbajtje propagandistike depërtuar edhe në ekranet e vogla të qytetarëve të Kosovës përmes ArenaSport, të cilën e transmeton ArtMotion dhe kabllorë tjerë që këtë programacion e blejnë nga Devollët dhe operatori mts DOO – degë e Telekom Serbia në Kosovë.