Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për takimin e ardhshëm që do të mbahet më 18 mars në Ohër.
“Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, ky është një moment tejet i rëndësishëm lidhur me përpjekjet tona të vazhdueshme për të shtyrë përpara integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe të ketë vendin e saj si shtet i pavarur dhe sovran i Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje e përkohshme në të cilën po punohet dhe zbatimi i së cilës do të negociohet në Ohër këtë fundjavë, ne e konsiderojmë këtë të jetë një hap shumë të rëndësishëm para, dhe mendojmë se një marrëveshje e plotë është afër”, ka thënë Hovenier në ATV.
Tutje ai ka thënë se 11 pikat nuk do të negociohen dhe se i vetmi negocim do të jetë për aneksin.
“Ne besojmë se kjo marrëveshje dhe 11 pikat për cilat është dakorduar, aneksi i zbatimit për të cilin po negociohet sjell përfitime të vërteta, praktike, politike dhe ekonomike. Andaj dua të jem i qartë, se 11 pikat nuk do të negociohen. Kjo marrëveshje për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u përmbyll në Bruksel dhe të dy negociatorët e pranuan faktin, ashtu siç tha BE-ja, se nuk ka më nevojë që të negociohet ky tekst. Ajo për të cilën po negociohet është një aneks që do të flasë për çështjen kritike se si të zbatohen këto parime dhe si të bëhet kjo në mënyrë efikase dhe ky është fokusi ynë kryesor: një zbatim i suksesshëm dhe efikas”, shtoi ai.
- Advertisement -
Ambasadori tha se SHBA-ja vlerëson se një marrëveshje më e mirë për momentin nuk ekziston sepse kjo aktuale “avancon stabilitetin rajonal, ripozicionon marrëdhëniet Kosovë – Serbi drejt një status quo-je më të mirë”.
Po ashtu, e quajti të përkohshme sepse tha se synimi i SHBA-ve është një marrëveshje finale, e cila është e përqendruar në njohje të ndërsjellë.
“Duhet të jem i qartë, SHBA-ja nuk vlerëson se ekziston një marrëveshje më e mirë për momentin. Ky është një hap i rëndësishëm para. Është një mundësi e jashtëzakonshme, avancon stabilitetin rajonal, ripozicionon marrëdhëniet Kosovë – Serbi drejt një status quo-je më të mire. Është marrëveshje e përkohshme dhe SHBA-ja fuqishëm i qëndron prapa dhe me opozitën për vite të tëra kemi ruajtur qëndrimin se kemi synimin e një marrëveshje finale përfundimtare dhe e cila është e përqendruar në njohje të ndërsjellë, ky është synimi dhe kjo marrëveshje na afron edhe më shumë drejt saj dhe e ripozicionon në një mënyrë shumë më të qëndrueshme”, ka thënë Hovenier.
Hovenier shtoi se ky është një moment i rëndësishëm dhe se kjo mundësi duhet shfrytëzuar nga Kosova dhe të përfitojë nga marrëveshja.
“Duhet të përmendi se për ne të cilët kemi përcjellë çështjet e Kosovës për shumë vite, ky është një moment i jashtëzakonshëm. Ka bërë bashkë kancelarin gjerman, presidentin francez, kryeministrin italian, letra nga presidenti Biden, deklarata nga sekretari Blinken, angazhime nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian, keni dëgjuar për komentet e Von der Leyen-it mbrëmë, e tërë anëtarësia e Bashkimit Evropian dhe konkluzionet e këshillit, Mbretëria e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, të gjitha shtetet që kanë qëndruar dhe qëndrojnë përkrah Kosovës, besojnë se kjo është gjë shumë e mirë dhe po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për ta parë marrëveshjen të avancuar dhe konkluzione të suksesshme në negociata. Andaj desha që ta përmend këtë në mënyrë që të mos ketë pyetje se si SHBA-ja do ta kap këtë moment dhe këtë mundësi, dhe diplomacia jonë dhe angazhimi jonë me qeverinë dhe popullin e Kosovës ka qenë që t’i inkurajojmë që kjo mundësi të kapet dhe të shfrytëzohet në mënyrë që ta shohim Kosovën që të marrë përfitimet që vijnë nga kjo marrëveshje”, tha ambasadori Hovenier.
- Advertisement -
Kujtojmë se takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet të shtunën, më 18 mars, në Ohër.