Ai gjatë deklarimit të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes së grantit në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh me USAID-in, ka thënë se janë duke u përballur me disa sfida me qeverinë e kryeministrit Kurti.
“Shumë prej jush keni parë raportet në media për dallimet e tashme ndërmjet SHBA-së dhe anëtarëve tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë të udhëhequra nga qeveria e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e Kosovës, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”, tha Hovenier.
Ai tutje citoi deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit më herët gjatë këtij muaji se “qeveria amerikane shpreson që qeveria e Kosovës t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-të, BE, NATO-n dhe partnerët e tjerë të Kosovës”.
Hovenier theksoi tutje se edhe pse në disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se sa do të kishin dëshiruar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë.
- Advertisement -
“Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për asistencë për zhvillim për popullin e Kosovës, për rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, integrimet në Evropë etj, besoj se qartazi e thekson këtë gjë”, tha tutje Hovenier.
Megjithatë, sipas tij, ky manifestim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për zgjedhjet ose veprimet politike të asaj qeverie.
Ambasadori amerikan ka thënë se gjatë 25 vjetëve që kur SHBA filloi të ofrojë mbështetje për Kosovën, deri tani ka dhënë mbi 1 miliardë dollarë për popullin e Kosovës.
“Përgjatë këtyre viteve kjo ndihmë e qeverisë dhe popullit amerikanë ka ndihmuar në mbështetjen e themelimit të institucioneve lokale e qendrore, ju ka ndihmuar bizneseve të Kosovës, ka forcuar mediat e pavarura, ka përmirësuar sigurinë e shumë gjëra të tjera. Këto fonde të reja ngjashëm do të orientohen nga veprimtaritë e programet do të përforcojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës, do të mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mendojmë se këto fonde do t’i ndihmojnë Kosovës për t’u integruar më mirë edhe në tregjet evropiane si dhe të afrohet edhe më shumë me institucionet euroatlantike siç është anëtarësimi në BE, e që është qëllim i përbashkët”, shtoi Hovenier.