Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot mbahet seanca përfundimtare ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca në lidhje me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Besart Mustafa ka kërkuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të dënohet për veprën penale që i vihet në barrë, ndërsa mbrojtësja e tij, avokatja Arbnora Zeqiri kërkoi që Konjufca të lirohet nga akuza.
Këto deklarime u bënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
- Advertisement -
Konjufca po akuzohet për këtë veprim gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë bashkë me partinë së cilës i përket, Lëvizjen Vetëvendosje, në periudhën kur po protestonte kundër miratimit të demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.