Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, lidhur me faturimin e energjisë së shpenzuar në veri, në faturat e qytetarëve të tjerë.
Kësisoj, ky vendim e obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët me 40 milionë e 885 mijë euro, pasi ata ishin faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.
Padinë në këtë rast e kishte paraqitur Avokati i Popullit, i cili kishte kërkuar anulimin e vendimit të 6 shkurtit të vitit 2012 të ZRRE-së “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike” si dhe kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë vendosur pro padisë së Avokatit të Popullit.
- Advertisement -
Ndërkohë, të hënën Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin lidhur me këtë rast të parashtruar nga ZRRE-ja. Kjo e fundit kishte kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të 9 marsit 2023 të Gjykatës Supreme.
“Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) Aktgjykimi [Arj.nr.116/2022] i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kushtetueses.
Në njoftimin e Kushtetueses theksohet se sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 “Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore” të Kushtetutës dhe Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, sepse thuhet se nuk ka pasur qëllim legjitim dhe proporcionalitet ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar.
Aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese