Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt-Murseli.
Të treve të dyshuarëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Naim Murseli akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Pllava për “Vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëvedhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”, thuhet në njoftim.
- Advertisement -
Sipas njoftimit, gjyqtarja e Procedurës Paraprakevlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij,ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atëmënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, theksohet në njoftim të gjykatës.
Pritet vendimi i gjykatës, vëllau thotë se Liridona është vrarë mizorisht
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli. Gjykata pritet t’ua caktojë masën e paraburgimit ndaj tyre.
Familjarin e Liridonës respektivisht të vëllanë nuk është lejuar të marrë pjesë në seancën gjyqësore.
- Advertisement -
Pas seancës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.
Ai ka theksuar se Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë.
“Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë ai.
- Advertisement -
Ndërsa, ka sqaruar një deklaratë, që sipas tij, është keqkuptuar se “familja e Naim Murselit ka vetëm dy ditë besë”.
“Ka qenë një keqkuptim. Ditën kur e kanë arrestuar Naimin, na kanë thirrë në telefon dhe na kanë thënë që është edhe dy ditë e pamja. Këtu është bërë një keqkuptim se kanë thënë dy ditë i kanë dhënë afat e s’di as çka është besë. Ajo s’është e vërtetë. Baba i ka thënë mbane të pamën edhe dy ditë qysh e keni pasë dhe asnjë send tjetër s’ka pasë. S’ka pasë dy e tri ditë besë. Na gjithçka ia lëmë drejtësisë, besojmë në drejtësi të Kosovës”, ka thënë Ademaj.
Vëllau i Liridonë, ka deklaruar se fëmijët nuk e kanë kuptuar ende se ju ka vdekur nëna.
Gjithashtu ai ka bërë të ditur se e ka dorëzuar në prokurori kërkesën për zhvarrimin e trupit të pajetë të së ndjerës nga vendi ku është varrosur për tu rivarrosur në varrezat e fshatit të lindje. Ademaj ka theksuar se pret përgjigje pozitive nga Prokuroria.