Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se deri tani nuk më ndonjë informacion shtesë rreth rastit të ish të burgosurit të Kosovës, Faton Hajrizi, për të cilin institucionet serbe kanë thënë se e kanë vrarë.
Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se deri tani i kanë vetëm shenjat e gishtërinjve, por nuk e dinë se a janë të një trupi të vdekur apo të një njeriu të gjallë, transmeton klankosova.tv.
“Bashkëpunimi jo që është i vështirë, pothuajse është inekzistent në të gjitha këto fusha, kemi qenë shumë këmbëngulës në kërkesën që trupi i personit të vrarë kushdo që të jetë ai t’i kthehet familjes për t’u varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë në të cilën kemi mundur të pajisemi gjatë kësaj kohe, kemi pasë një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi pas verifikimit në Kosovë është konstatuar të jetë Faton Hajrizi mirëpo nuk kemi asnjë garancë se bëhet fjalë as për personin e vrarë apo për asnjë prej pretendimeve tjera”.
“Deri tani gjithçka çfarë ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Nuk mund t’u themi qytetarëve se kemi informacione të sakta, sepse dëshirojmë edhe qytetarët të jenë të informuar dhe mediat sa jemi ne”.
- Advertisement -
“I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, edhe misioneve diplomatike, edhe misionit të BE-së në Beograd, në zbardhjen e kësaj çështje, nuk mund t’u japë më shumë informacione rreth kësaj çështje me aq sa kemi dhënë deri tani”, ka thënë Gërvalla.