Fituesi i edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania, Gjesti, ka nënshkruar sot kontratën e tij të re me agjencinë SGM Management, duke zyrtarizuar kështu fillimin e një etape të re në karrierën e tij artistike.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në rrjetin social Instagram nga menaxheri i ri i Gjestit, Bonart Ajvazi, i cili u shpreh i entuziazmuar për këtë bashkëpunim. “Jam shumë i lumtur që do të menaxhoj Gjestin. Mezi presim të shohim çfarë na sjell e ardhmja,” ka shkruar ai.
Pas daljes nga formati i famshëm televiziv, Gjesti kishte paralajmëruar se po hynte në një “epokë të re”, ndërsa tani duket se planet e tij po marrin formë konkrete. Nën menaxhimin e ri, ai pritet të publikojë këngë të reja dhe të sjellë bashkëpunime të freskëta, veçanërisht në sezonin e verës që vjen.
Ky hap shihet si një përpjekje për të konsoliduar dhe zhvilluar më tej karrierën e tij muzikore pas suksesit të arritur në televizion.
- Advertisement -
