Pas disa orësh kërkimesh të pandërprera, është gjetur shëndosh e mirë 8-vjeçari Alpi nga Gjilani, i cili ishte raportuar i zhdukur pasditen e së dielës, më 27 prill. Lajmi u konfirmua nga Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH), e cila njoftoi për përfundimin me sukses të operacionit të kërkimit.
“Fëmija është gjetur dhe është i sigurt. Falënderojmë të gjithë qytetarët, vullnetarët dhe institucionet që u mobilizuan dhe na përkrahën në këtë mision. Bashkë treguam edhe një herë fuqinë e solidaritetit dhe përkushtimit”, thuhet në njoftimin e SHKKSH-së.
Alpi ishte zhdukur nga shtëpia rreth orës 15:30 të së dielës, ndërsa për shkak se ai është me autizëm, shqetësimi për sigurinë e tij ishte i madh. Menjëherë pas njoftimit për zhdukjen, autoritetet lokale, Policia e Kosovës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit ndërmorën një aksion të gjerë në terren. Në kërkime u përdorën edhe dronë për të pasur një mbulim më të madh të zonës, ndërsa në ndihmë u angazhuan edhe qindra qytetarë vullnetarë.
Gjetja e tij u konfirmua edhe nga familja përmes një njoftimi të shkurtër: “Voglushi është gjetur shëndosh e mirë! Ju faleminderit nga zemra, Zoti ju ruajt!”