Gërmimet që filluan herët në mëngjesin e sotëm në një zonë të Kishnicës, rezultuan të pasuksesshme. Në këtë vend nuk u gjet asgjë edhe pse ekipet që shkuan atje kishin informacione për mbetjet mortore të dy viktimave të luftës.
Nga orët e hershme të mëngjesit nisën gërmimet për kërkimin e 2 viktimave të luftës së fundit të Kosovës, të cilat gjenden në listën e personave të zhdukur. Në kërkimet që u bënë në afërsi të Minierës së Kishnicës, me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk u gjend asgjë.
“Sot, këtu kemi ardhur së bashku me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe kemi filluar punën në këtë lokacion “, tha Ditor Haliti, u.d. i drejtorit të Mjekësisë Ligjore.
“ Ky është lokacioni i katërt që janë trajtuar gjatë këtij viti, por që ndërlidhen me rastet e viktimave të luftës, ose të personave të zhdukur me forcë”, tha Kushtrim Gara nga komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
- Advertisement -
Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thonë se sfidues mbetet realizimi i gërmimeve në territorin e Serbisë, për çka i kërkohet faktorit ndërkombëtar t’i bëjë trysni Serbisë për bashkëpunim.
“Shqetësuese dhe sfidë gjithmonë mbesin lokacionet në territorin e Serbisë meqë përkundër kërkesave në vazhdimësi nuk ka datë qoftë për vazhdim të lokacioneve që kanë mbetur të papërfunduara, apo për fillim të gërmimeve në lokacione tanimë të shënuara në territorin e Serbisë. Sfidë në këtë rast në raport me Serbinë mbetet jo vetëm mungesa e gërmimeve, por në përgjithësi qasja politizuese e institucioneve të Serbisë drejt këtij procesi”, tha Gara.
Në ditët në vijim pritet të nisin gërmimet në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, në një lokacion në rajonin e Mitrovicës dhe një tjetër në rajon të Gjakovës.
Mbi 1600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.