Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar pas arrestimit të tre mjekëve të repartit të gjinekologjisë në spitalin e Prizrenit.
Policia rajonale e Prizrenit ka arrestuar, të mërkurën, tre mjekë të repartit të gjinekologjisë në Prizren, pasi dyshohen se nuk ofruan shërbimin e duhur mjekësor gjatë ardhjes në jetë të një foshnje, e cila ka vdekur pak minuta pas lindjes. Me urdhër të prokurorit të shtetit, mjekët e ndaluar janë lënë në paraburgim për 48 orë.
“Jo më larg se javën e kaluar, FSSHK është dashur që të reagojë për sulmet fizike në vendin e punës ndaj punëtorëve shëndetësor,ku kryerësit e këtyre veprave janë arrestuar disa ditë pas sulmeve dhe nuk është bërë asnjë lajm mediatik por as edhe një reagim institucional. FSSHK në asnjë rrethanë nuk tenton të ndërhyjë në procedurat gjyqësore/prokuroriale por arrestimi i profesionistëve shëndetësor pas denoncimit të rastit pa u kryer ekspertiza mjeko-ligjore është skandaloz”, thuhet në komunikatën e FSSHK-së.
Tutje në reagim, FSSHK thekson se “mjekët të cilët edhe gjatë festës i kanë lënë familjet e tyre për t’i shërbyer qytetarëve,ata të cilët në historikun e tyre profesional nuk kanë asnjë vërejtje, sot po ballafaqohen me cenim të dinjitetit, degradim e linçim publik”.
- Advertisement -
“Duke bashkëndjerë dhimbjen me familjen e pacientit, në sistemin shëndetësor si tek ne ashtu edhe në vendet bashkëkohore ndodhin fatkeqësisht edhe përfundime të rasteve me vdekje, por zgjidhjet e rasteve nuk fillojnë me arrestime. Ngjarje të tilla ndikojnë edhe më shumë në uljen e besueshmërisë së qytetarëve për trajtim në sistemin publik shëndetësor por edhe marrjen e shërbimeve shëndetësore nga profesionistët shëndetësor”, thuhet tutje në reagim.
FSSHK nëpërmjet komunikatës kërkon që të lirohen mjekët e arrestuar pa u penguar procedura hetimore për zbardhjen e rastit.