Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupave të tre anëtarëve të familjes Pacolli të cilët u aksidentuan në rrugën Shkup –Bllacë, dhe më pas vetura e tyre u rrokullis në lumin Lepenc.
Kërkimi për tre trupat e dyshuar si të humbur është vështirësuar për shkak të vorbullës së ujit, shkaku i të reshurave të shiut të ditëve të fundit.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në veturë kanë qenë 4 persona, njëri prej të cilëve ka shpëtuar dhe është dërguar në spitalin “8 Shtatori” për trajtim mjekësor, kurse kërkimet vazhdojnë edhe për 3 persona të tjerë.
MPB e Maqedonisë së veriut ka deklaruar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00 të së shtunës, kur në aksin rrugor Shkup- Vendkalimi kufitar Bllacë, në aksident trafiku është përfshirë automjeti i udhëtarëve “Volkswagen” me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B nga Shkupi dhe automjeti i pasagjerëve BMW me targa të Kosovës, i drejtuar nga N.P. nga Kosova.
- Advertisement -
Automjeti i fundit, pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. “Në automjetin BMW, përveç drejtuesit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa vazhdojnë kërkimet për tre personat të tjerë”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë aksident tragjik, personat e aksidentuar e që po kërkohen në lumin lepec janë familja Pacolli nga Hajvalia e Prishtinës, babai, nëna dhe vajza 15 vjeç, kurse ka shpëtuar djali 20 vjeç.
Katër anëtarët e familjes Pacolli, ktheheshin nga Aeroporti i Shkupit drejt Prishtinës.
Kërkimi ka rinisur mëngjesin e së dielës. Në ndihmë të ekipit të njësisë speciale “Tigrat” në Maqedoni të veriut, mëngjesin e sotëm u kanë shkuar në ndihmë edhe ekipet e kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo pasi aksioni u ndërpre pas mesnatës së sotme para orës 02:00 për shkak të kushteve të vështira dhe dukshmërisë së ulët dhe i njëjti rinisi rreth orë 06:00 të mëngjesit.
- Advertisement -
Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se 20 vjeçari, Shkëlqim Pacolli, është personi i cili arriti të shpëtojë duke u hedhur nga vetura.
Sipas rrëfimit të tij për prokurorinë dhe policinë në Maqedoninë e Veriut, veturën e kishte marrë më pas lumi.
Informacionet e para flasin se automjeti i tipit BMW ka hyrë në parakalim, dhe më pas ka humbur kontrollin duke rënë në ujë.
- Advertisement -
Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut njofton rreth aksidentit tragjik në aksin rrugor Shkup-Bllacë.
Ambasada deklaron se në vendngjarje ka dalë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, të shoqëruar nga Zëvendësministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase”.
Kështu, krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës.
“Për shkak të reshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani”.