Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kanë nënshkruar Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), një dokument strategjik që synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe sigurimin e shkëmbimit të mbrojtur të informacionit mes dy vendeve.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Prishtinë dhe u finalizua nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Gjeneral Major John Phillips, Drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në Komandën Evropiane të SHBA-së (EUCOM).
Sipas Ambasadës amerikane në Kosovë, me këtë marrëveshje, Kosova bëhet partneri i 33-të global që i bashkohet rrjetit të vendeve që ndajnë standarde të avancuara të sigurisë në komunikim dhe teknologji mbrojtëse.
“Kosova bëhet partneri i 33-të global që nënshkruan CISMOA-n, duke rritur sigurinë e komunikimeve dhe ndërveprueshmërinë. Një hap i madh përpara në forcimin dhe sigurinë e të dyja kombeve tona”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
- Advertisement -
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës vlerësoi CISMOA-n si një marrëveshje me rëndësi të veçantë strategjike, që i mundëson FSK-së qasje në teknologji të avancuar dhe në shkëmbim të të dhënave të sigurta e të kriptuara.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një reagimi në rrjetet sociale, përgëzoi lidershipin e FSK-së për nënshkrimin e marrëveshjes, duke e cilësuar atë si një hap domethënës në ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe sigurinë e përbashkët me SHBA-në.
CISMOA është një marrëveshje standarde që SHBA-ja lidh me partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar përdorimin e pajisjeve të ndjeshme ushtarake dhe garantimin e sigurisë në komunikim, duke shtuar ndërveprueshmërinë mes forcave të armatosura të vendeve aleate./REL