Ministria e Financave ka njoftuar se Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar pozitivisht ecurinë ekonomike të Kosovës, duke konfirmuar disbursimin e fondeve të reja në kuadër të bashkëpunimit me këtë institucion financiar ndërkombëtar.
Sipas komunikatës zyrtare, FMN ka theksuar se ekonomia e Kosovës ka ruajtur një rritje të shëndetshme, inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm, rezervat fiskale janë rindërtuar, dhe reformat janë përshpejtuar.
Ky vlerësim vjen pas përfundimit të rishikimit të katërt dhe të fundit të dy programeve të FMN-së me Kosovën – Programi i Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) dhe Programi për Resiliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) – të cilat janë përmbyllur me sukses.
Në kuadër të këtij progresi, FMN ka bërë të ditur disbursimin e 16.08 milionë eurove nga SBA-ja dhe 9.32 milionë eurove nga RSF-ja, që do të vihen në dispozicion të Kosovës.
- Advertisement -
Në deklaratën e tij, Zëvendësdrejtori Menaxhues i FMN-së, Bo Li, ka vlerësuar ndikimin e dy programeve në forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ai theksoi se ato kanë ndihmuar në ruajtjen e borxhit publik në nivele të ulëta, përparimin e reformave në menaxhimin e financave publike, si dhe në realizimin e objektivave klimatike dhe energjetike të Qeverisë së Kosovës.
Sipas Ministrisë së Financave, ky vlerësim konfirmon përkushtimin e institucioneve vendore ndaj stabilitetit ekonomik dhe reformave të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm.