Në ditën kur Finlanda bëhej anëtari i 31-të anëtar i NATO-s, ambasadori i saj në Prishtinë, Matti Nissinen, deklaroi mbështetjen e plotë të vendit të tij për Kosovën dhe për stabilitetin e të gjithë Ballkanit në tërësi.
“Finlanda ka qenë e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin këtu në Ballkan për shumë vite, dhe ne patjetër do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Që nga koha e presidentit Martti Ahtisaari, kemi qenë të angazhuar në promovimin e së ardhmes së Kosovës në organizatat europiane dhe euroatlantike. Do të vazhdojmë ta japim atë mbështetje të palëkundur për Kosovën edhe në të ardhmen”, tha ambasadori Matti Nissinen.
Në intervistën e dhënë për The Geopost, ai e përshkroi më tej anëtarësimin e Finlandës në NATO, si një moment historik. Edhe më herët, ne kemi qenë shumë afër NATO-s me stërvitje në aktivitete të ndryshme të përbashkëta me të.
“Por sërish kjo ishte një ditë e rëndësishme historike për vendin tonë”, tha ambasadori. Në mesazhin dërguar popullit të Kosovës, ai nënvizoi se mbështetja për të në politikën finlandeze, do të vazhdojë.
- Advertisement -
“Liderët tanë politikë kanë theksuar publikisht se Finlanda mbështet anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, qoftë në Këshillin e Evropës apo Bashkimin Europian apo edhe anëtarësimin në NATO. Politikanët tanë e kanë thënë këtë publikisht dhe jam i lumtur ta përsëris këtu me ju, se është diçka që nuk do të ndryshojë në politikën finlandeze”, shtoi ai.