Seanca dyditore e parlamentit të Serbisë për Kosovën do të duhej të prezantonte një lloj dialogu të brendshëm ndaj propozimit gjermano-francez. Por ajo kaloi në zhurmë e debate të ashpra mes qeverisë dhe opozitës.
Seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë u zhvillua në atmosferë të tensionuar dhe mund të thuhet se pas zënkave dhe akuzave reciproke për tradhti u dëshmua edhe një ndarje e thellë brenda parlamentit në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Qeveria nga ana e saj vazhdon të akuzojë autoritetet e mëparshme se kanë kontribuar në pavarësinë e Kosovës, ndërsa opozita vetë është e ndarë për sa i përket mbështetjes për planin gjermano-francez për Kosovën. Pjesa proevropiane e opozitës mendon se ky plan duhet mbështetur, ndërsa opozita me orientim më nacionalist e sheh zbatimin e këtij plani si mbështetje për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe shfuqizimin e Republikës Srpska.