Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar, nga autoritetet e Serbisë. Ai u mbajt në Rashkë që prej dje pas ndalimit në kufi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se ai është duke ardhur në Kosovë.
“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë. Në vijim do të njoftoheni për më shumë detaje”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
Pas lirimit të Jankoviqit, ka reaguar, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ka theksuar se ai ishte ndaluar për dy ditë me radhë arbitrarisht dhe është marrë në pyetje nga organet e Serbisë.
- Advertisement -
“Ky arrestim ishte vetëm një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Serbisë pas votës masive të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë nga më të rëndësishmet ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në Facebook.
E gjatë ditës krerët shtetëror e kanë dënuar ndalimin e zv.drejtorit të Policisë, duke kërkuar lirim të menjëhershëm dhe reagim të bashkësisë ndërkombëtare.
Presidentja Vjosa Osmani e kishte cilësuar Serbinë shtet shovinist, duke kërkuar që aleatët të ngrehin zërin.
“Derisa përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia. Prandaj i bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrehin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë”, ka deklaruar Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është shtet mafioz, “e mossanksionimi i saj nga Bashkimi Evropian e inkurajon Beogradin të ndërmarrë veprime të tilla”.
- Advertisement -
“Arrestimet e bëra nga Serbia, qofshin qytetarë të thjeshtë që e përdorin atë si vend tranzit për vendet e BE-së, qofshin zyrtarë shtetërorë, këto nuk do të dilnin në shesh nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe shpresoj që ky trimërim i agresivitetit, i cili vjen si rezultat i një nervozizmi të padurueshëm të brendshëm si rezultat i sukseseve të shtetit tonë, do të përfaqësojë një fazë të re në të cilën do të kuptohet se Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve”, ka thënë Kurti.
E, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier, i ka quajtur shqetësuese ndalimet në kufi nga autoritetet serbe, duke kërkuar lirimin e qytetarëve dhe të zëvendësdrejtorit Jankoviq.