Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës, ka arrestuar Nagip Krasniqin për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “Konflikti i interesit”.
“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.