I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se plani evropian për Kosovën është i mirë. Ai ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “do ta humbë mundësinë” nëse nuk pajtohet që ta implementojë dhe harmonizojë me partnerët.
Kosova dhe Serbia pranuan planin evropian për dialogun e edhe marrëveshjen për udhërrëfyen mbi zbatimin e tij muaj më parë.
Escobar ka folur në Zagreb para Forumit të Dubrovnikut, ku ka thënë se tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës e kanë kërcënuar këtë plan.
Ai ka thënë se ka pasur “indikacione pozitive” se Beogradi mund ta pranojë, por se nuk mund ta thotë të njëjtën edhe për Kurtin.
- Advertisement -
“Ne shpresojmë se Kurti në një pikë do t’i përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”.
I pyetur se çfarë pasoja mund të ketë për Kosovën dhe nëse njëra prej tyre do të ishte tërheqja e KFOR-it nga Kosova, Escobari u përgjigj se kjo mundësi “nuk është në tavolinë”, raportoi Hina.
“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike”.
Ai theksoi se pasojë e mospranimit të planit evropian është një mundësi e humbur.
“Kjo nuk është një masë ndëshkuese, është një mundësi e humbur. Kjo është ajo që po ndodh me Kosovën tani sepse nuk po koordinohet me partnerët e saj”, shtoi Escobar.