Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmbahen nga deklarata zyrtare në lidhje me rrëmbimin e tre policëve, afër vijës kufitare me Serbinë, përderisa të vërtetohen faktet në lidhje me këtë ngjare. Pavarësisht kësaj, Washingtoni zyrtar konsideron se ata duhet të lirohen menjëherë.
“Shtetet e Bashkuara dhe KFOR-i dhe të tjerët do të presin për faktet”, deklaroi Escobar sot në një konferencë për media të mbajtur online.
“Pra, do të presim përfundimin e hetimeve. Dhe mendoj se është e papërshtatshme të bëjmë deklarata paraprakisht”.
“E vetmja gjë që po kërkojmë, është shumë e qartë: se këta policë ose janë dërguar në Serbi ose kanë përfunduar në Serbi, pa pasur qëllim të jenë në Serbi. Prandaj ata duhet të lirohen pa kushte”.
- Advertisement -
Në një bisedë online me gazetarë, Escobar ka cilësuar se kjo ngjarje ka eskaluar situatën edhe ashtu të eskaluar. Ai përsëriti kërkesat amerikane që janë identike me ato evropiane lidhur me masat drejt de-përshkallëzimit, por porositi se Kosova do përballet me pasoja nëse nuk i përfillë kërkesat e SHBA-së për largimin e kryetarëve të komunave nga objektet komunale.
Ai konsideron se SHBA-ja tërë kohën ka vepruar në interes të Kosovës. Në këtë rrafsh, përmendi përkrahjen e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mospërfilljen e kërkesave të Serbisë që zgjedhjet lokale të shpallen të paligjshme apo që të mos njihet legjitimiteti i kryetarëve të zgjedhur.
Escobar pranoi se Serbia nuk ka përparuar në nivelin e dëshiruar në raportet me Kosovën, por tërhoqi vërejtjen se nga fundi i vitit të kaluar, secili tension ka qenë pasojë e veprimeve të njëanshme të Kosovës, dhe mos koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare.
Sidoqoftë, emisari amerikan për rajonin konsideron se akoma ka hapësirë për të besuar se mund të shkohet tutje me implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër.
“Për ata që vënë në dyshim se kjo marrëveshje nuk e shtyn Serbinë aq larg sa duhet: Ajo kërkon që Serbia të njohë integritetin territorial të Kosovës, kontrollin e saj administrativ mbi të gjithë vendin, sovranitetin e saj, flamurin e simbolet kombëtare, dokumentet dhe gjithashtu të mos e bllokojë Kosovën në integrimin e asnjë strukturë ndërkombëtare”, tha Escobar.
- Advertisement -
“Pra, me fjalë të tjera, për Serbinë, kjo e bën Serbinë të pranojë pashmangshmërinë që Kosova të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike”.
Sipas tij, në të njëjtën kohë, sipas marrëveshjes kërkohet që Kosova të bëjë hapa në pajtimin ndëretnik, duke përfshirë edhe Asociacionin.
“Që ne e shohim si një mundësi për Kosovën që të zgjerojë autoritetin e saj mbi strukturat paralele”.
- Advertisement -
Gabriel Escobar porositë se kryeministri Kurti, po turbullon ujërat duke thënë se Kosova mund ta refuzojë Asociacionin. Duke refuzuar detyrimet e saj ligjore, sipas tij, Kosova po refuzon rrugën evropiane sepse ky është detyrim ndërkombëtar i vendit.