Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka folur për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Escobar ka thënë se Kurti është “partner i SHBA-së, ndonëse nganjëherë është partner i vështirë”.
“Më duhet ta bëj të qartë, Z. Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, së bashku. Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen”, ka thënë Escobar.