Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur sot në një takim solemn ekipin e futbollit të Policisë së Kosovës, i cili u shpall kampion në Policiadën Botërore “Copa Del Mare”, që u zhvillua javën e kaluar në Greqi.
Në shenjë mirënjohjeje për këtë sukses të jashtëzakonshëm, futbollistët ia dorëzuan drejtorit Hoxha trofeun e fituar, duke e konsideruar këtë arritje si një fitore të përbashkët për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe qytetarët që ajo mbron.
Gjatë takimit, drejtori Hoxha u shpreh falënderues dhe krenar për përfaqësimin dinjitoz që Policia e Kosovës dha në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ky sukses është rezultat i disiplinës, përkushtimit dhe punës ekipore.
Ekipi u zotua se kjo fitore është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri drejt sukseseve të tjera, duke premtuar se do të vazhdojnë të përfaqësojnë Policinë e Kosovës me nder, si në fushën e sigurisë ashtu edhe në sport.