Mbrëmë në Zubin Potok janë djegur dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.
Në një postim në Twitter, Vela ka shkruar se strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë të frikësojnë serbët në Kosovë.
Sipas Velës këto vetura janë djegur vetëm për shkak se ishin të pajisuara me targa RKS, por që siç thotë ai, në Marrëvehjen e Brukselit, targat RKS janë të vetmet targa të veturave legale në Kosovë.
“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë frikësimin e serbëve vendas në Zubin Potok. Mbrëmë dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës janë djegur me sa duket vetëm për shkak se kishin targa RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, targat RKS janë të vetmet targa të veturave legale në të gjithë Kosovën”, ka shkruar Vela në Twitter.