Një dëshmitar tjetër është paraqitur sot para Gjykatës Speciale, për të dëshmuar kundët Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Dëshmitari i radhës po intervistohet lidhur me organizimin e kësaj partie në vitet ’90.
Prokuroria e ka pyetur për institucionet paralele dhe nëse kishte struktura të LDK-së në Malishevë gjatë vitit 1990.
“Ne e kemi i pa si institucione të Kosovës që kanë punu nga delegatët e Kosovës dhe për ne ka qenë sistem i njerëzve të Kosovës”, ka thënë ai, duke pohuar se ato institucione udhëhiqeshin nga Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi e të tjerët.
- Advertisement -
Ai tha se shqiptarët e përkrahnin LDK-në në vitet ’90 dhe ka folur për strukturën e degës së LDK-së në Malishevë atëherë.
“Nënkryetarët e LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, ka thënë ai.
I pyetur se sa e njohur ishte LDK-ja, dëshmitari u përgjigj: “Ishte shumë e njohur. Nga një pjesë e madhe e pjesës së Kosovës, shqiptarëve të Kosovës brenda dhe jashtë. Parti e madhe e njohur nga qytetarët e saj por edhe më larg”.
Paraprakisht, dëshmitari ka lexuar deklaratën soleme të betimit se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues.
“Dëshmitar, sot do të fillojmë me dëshminë tuaj e cila pritet që të zgjasë pak a shumë pesë ditë”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
- Advertisement -
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 7 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit, mbrojtja e viktimave ka kërkuar 15 minuta, ndërsa 12 orë i kanë kërkuar avokatët.
“Gjatë ditëve në vijim nuk lejohet që ta diskutoni me askënd përmbajtjen e kësaj dëshmie jashtë sallës së gjyqit. Nëse ka persona që ju bëjnë pyetje lidhur me dëshminë në këtë seancë, ju lutem na thoni”, tha kryegjykatësi.
Seanca më pas u mbyll për publikun.