Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Çaslav Joliq, duke e dënuar me pesë vjet e gjashtë muaj burgim për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998–1999, në komunën e Istogut.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili sqaroi se Joliq u shpall fajtor për pikën A të aktakuzës, ndërsa për pikat B dhe C nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta dënuar. Gjykata gjithashtu vendosi që koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënim, ndërkohë që masa e paraburgimit do të vazhdojë, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 18 nëntor 2022, Joliq, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, akuzohej për përfshirje në akte të torturës, shkaktim të vuajtjeve të mëdha dhe dëmtime të integritetit trupor ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit në Kosovë.
Ndër episodet kryesore të përmendura në aktakuzë përfshihet rrahja brutale e të dëmtuarit Zef Malsia në maj të vitit 1998 në fshatin Gurakoc, në prani të gazetarëve ndërkombëtarë, si dhe sulme të tjera të dhunshme ndaj civilëve si Naim Ferati, Nexhmedin Curri dhe të tjerë, të cilët u rrahën, u tërhoqën zvarrë dhe u kërcënuan me vdekje nga persona të veshur me uniforma të policisë serbe.
- Advertisement -
Sipas dëshmive, këto sulme u kryen nën pretekstin e bashkëpunimit të viktimave me mediat ndërkombëtare apo si shpagim për humbje të supozuara të forcave serbe në rajon. Në disa raste, viktimat u detyruan të largoheshin nga vendbanimet e tyre dhe u ekspozuan ndaj trajtimeve çnjerëzore gjatë rrugës për në Shqipëri apo Mal të Zi.
Gjykata njoftoi se arsyetimi i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve me kohë, ndërsa viktimat u udhëzuan të ndjekin rrugën juridike civile për kërkimin e kompensimit të dëmeve. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë rast konsiderohen të pafajshëm derisa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.