Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka këshilluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të mos i drejtojnë gishtat njëri tjetrit, por t’i përvishen punës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij, çdo përpjekje për ta vënë në dyshim marrëveshjen e Ohrit është e kotë, njofton Klan Kosova.
Kështu ai ka thënë në prag të samitit dyditor që po mbahet në Bruksel në kuadër të Këshillit Evropian.
“Gjithashtu, [do të flas për] takimin e Ohrit dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe më lejoni të them se çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe nuk ka vend për zgjedhje”.
- Advertisement -
Tutje, ai ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i monitorojë Kosovën dhe Serbinë për të parë nëse ato po e zbatojnë marrëveshjen.
“Është një tërësi, duhet të zbatohet nga të gjitha pjesët, në mënyrë tërësore dhe ne do të ndjekim me vëmendje kush zbaton e kush jo”.
“Unë do t’i këshilloja që të mos i drejtojnë gishtat njëra-tjetrës, por të bëjnë punën e tyre”.
Kujtojmë se më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë dakorduar për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse palët nuk i kanë vënë nënshkrimet në aneksin e marrëveshjes, ishte Borrell ai që bëri të ditur në një konference për media nga Ohri se ka marrëveshje.