Bashkimi Evropian pret pjesëmarrjen e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në takimin e krizës të iniciuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell.
Data e mbajtjes së këtij takimi akoma nuk është e sigurt meqë as kryeministri i Kosovës dhe as ai i Serbisë nuk e kanë konfirmuar nëse do udhëtojnë drejt Brukselit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Ne nuk kemi mundur të caktojmë datën sepse nuk kemi asnjë përgjigje përveçse kemi dëgjuar disa vërejtje shumë jokonstruktive publike”, tha Stano.
- Advertisement -
“Por ne presim që ata të vijnë pa parakushte në mënyrë që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, sepse u takon të dyve të diskutojnë, dhe të gjejnë zgjidhje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka tërhequr vërejtjen se shtetet anëtare të BE-së janë dukë përcjellë për së afërmi situatën ndërsa Josep Borrell do të vendosë për hapat e mëtejmë nëse palët nuk tregojnë vullnet për masat e de-përshkallëzimit.
Mungesa e angazhimit, sipas tij, do ketë pasoja si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
“Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta për të dëshmuar se pas të gjithave mund të jenë konstruktiv”, tha Stano.
“Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojë që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve Kosovës dhe Serbisë. E për këtë askush tjetër pos Vuçiqit dhe Kurtit nuk është përgjegjës“.
- Advertisement -
Ai gjithashtu ka konfirmuar se në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së që do mbahet të hënën që vjen, në agjendë do të jetë edhe situata me Kosovën e Serbinë, ku pritet që të miratohen edhe konkluzat.