Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe sot të konstituohet, në përpjekjen e tij të pesëmbëdhjetë me radhë për të zgjedhur kryetarin dhe për të funksionalizuar legjislaturën e re.
Seanca e sotme, e mbajtur në mëngjesin e 13 majit, përfundoi pa rezultat, ndërsa tentativa e radhës është caktuar për të mërkurën, më 15 maj, në orën 10:30 – një ndryshim i lehtë në orar, por me shpresa të ngjashme për zhbllokim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi zyrtarisht se seanca e re do të mbahet pasnesër. Në rend dite do të vazhdojë të jetë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë post, Albulena Haxhiu, sërish nuk arriti të sigurojë shumicën e votave të nevojshme, duke e lënë procesin në vendnumëro.
- Advertisement -
Situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese në arenën politike dhe institucionale të vendit, pasi 15 tentime të dështuara për konstituimin e Kuvendit po e zvarrisin krijimin e institucioneve të reja dhe po ushqejnë pasigurinë politike.