Kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, i cili pati takim me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, si dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovës-Serbi, theksoi se pati një darkonim që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet më 22 prill, por që kjo datë nuk mund të jetë e sigurt, pasi që ka indikacioni që kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ishte i sigurt nëse mund të vijë në takim në këtë datë, kështu që jemi duke shqyrtuar një datë alternative.
“Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet”, sqaroi Bislimi.
Ai, mes tjerash, tha se është diskutuar edhe për temat aktuale, sikundër është ajo e energjisë, çështja e targave, si po ecën implementimi, ku Bislimi ka shprehur vërejtjet lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, ngase, siç tha ai, deri në fund të marsit ka pasur një ecje të mirë, por pastaj me fillimin e djegieve të veturave nuk ka pasur vetura të regjistruara.
Lidhur me këtë, Bislimi bëri të ditur se pala serbe ka pasur kërkesa që prapë Kosova të tregojë vullnet të mirë dhe të mos vendosë masa ndaj tyre, por, shtoi më tej ai, kjo punë ka kaluar dhe çështja e targave nuk mund të diskutohet.
- Advertisement -
Kryenegociatori Bislimi njoftoi se është biseduar edhe për hapat të tjerë në sekuencimin e marrëveshjeve bazike, siç është marrëveshja për të pagjeturit, e njohjes reciproke të diplomave, mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare nga ana e Serbisë.