Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të takimit të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe njëkohësisht i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me presidentin Bajram Begaj.
Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, presidenti Begaj nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht Escobar i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të tij”, – nënvizoi Presidenti Begaj.
Duke u ndalur tek sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu, se “falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga Bashkimi Evropian, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtij rajoni.
- Advertisement -
Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë.