Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të hënën në një takim me gazetarë në Prishtinë ka deklaruar se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Këto deklarime të Bislimit në një përgjigje elektronike për RTK-në zëdhënës të Bashkimit Evropian nuk kanë dashur t’i komentojnë, porse kanë thënë se presin që palët t’i zbatojnë kërkesat e BE-së.
“Ne nuk i komentojmë deklaratat. Ne, megjithatë, shfrytëzojmë rastin të ritheksojmë se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë kërkesat e BE-së siç janë përshkruar në deklaratën e BE-së më 3 qershor 2023. Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e BE-së për RTK-në.
Kronikën e zgjeruar lidhur me këtë çështje do të mund ta ndiqni sonte në Lajmet e orës 19:30 nga gazetari Visar Shatrolli.