Akoma nuk ka datë të saktë se kur mund të mbahet takimi i radhës në nivelin më të lartë politik, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian presin nga palët që të krijohet klima për mbajtjen e takimit të liderëve.
“Ne kemi deklaruar vazhdimisht gjatë javëve të fundit, se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së nga palët për të ndërmarrë hapa shumë të mirëpërcaktuar për depërshkallëzimin dhe krijimin e kushteve për rifillimin e dialogut”, ka deklaruar Peter Stano zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se është esenciale, që pa vonesa të mëtejshme të zbatohet marrëveshja e arritur në shkurt në Bruksel dhe aneksi i saj i dakorduar në mars në Ohër.
Në dritë të eskalimit të dhunës në veri, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell kishte thënë se pa rikthimin e qetësisë në këtë pjesë të Kosovës nuk ka vend për të vazhduar dialogun.
- Advertisement -
Ditë më parë, Miroslav Lajçak emisari evropian për dialog paralajmëroi vazhdimin e procesit, dhe mbajtjen e një takimi të liderëve gjatë muajit shtator.
Për zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, puna në dialog po vazhdon, por nuk ka datë për takim e radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Ai siguron se opinioni do jetë i njoftuar në momentin e duhur.