Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.
Kjo porosi është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, të cilat do të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji.
Radio Evropa e Lirë u informua për tekstet e tyre, në të cilat të dyja palët rikujtohen se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tash është edhe formalisht obligim për të dyja vendet.
Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
- Advertisement -
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.
Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Procesi i normalizimit [të marrëdhënieve] vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, thuhet në këtë draft-dokument.
Aty kërkohet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve.
Në raport vlerësohet se tensionet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, mbeten të larta dhe përsëriten kritikat ndaj autoriteteve të Kosovës për ato që cilësohen si “veprime të pakoordinuara”, të cilat thuhet se kanë nxitur tensione.
- Advertisement -
Vazhdimi i bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve konsiderohet si “prapakthim serioz i Serbisë në zbatimin e obligimeve nga dialogu”.
Komisioni Evropian kërkon që palët në dialog ta respektojnë Marrëveshjen për vizitat zyrtare, t’i mundësojnë vizitat e kryenegociatorëve në territorin e vendeve të njëra-tjetrës, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.
Bëhet thirrje, po ashtu, që funksionimi i nismave rajonale të mos ndikohet nga mospajtimet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë.
- Advertisement -
Komisioni Evropian edhe me këtë dokument vjetor i bën thirrje Kosovës që ta nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Aty kërkohet që si bazë për këtë të jetë draft-statuti i propozuar nga disa vende evropiane, i cili u është dorëzuar palëve në tetor të vitit 2023.
Ky propozim, thuhet në raport, është i bazuar në shembujt më të mirë evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkaq, për propozimin që është dorëzuar nga ana e ekipit menaxhues, i përbërë nga serbët e Kosovës, thuhet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut, ndaj kërkohet që si bazë të merret pikërisht ai që quhet “propozimi evropian”.
Në draft-raportin për Serbinë thuhet se obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve janë pjesë formale e kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, në kapitullin 35.
Kështu që për Serbinë, kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit, dhe normalizimi i raporteve me Kosovën do të kushtëzojnë dinamikën e tërë procesit të integrimit të saj në BE.
Paketa e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende në këtë proces do të miratohen në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën, më 30 tetor, në Bruksel.
Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga kjo përbërje e Komisionit Evropian, pasi, së shpejti, mandatin e ri pesëvjeçar do ta nisë Komisioni me përbërje të re./REL