Vërejtjet e Bashkimit Evropian për kushtet e vendosua nga kryeministri Albin Kurti për themelim të Asociacionit nuk janë zbuluar as të enjten.
Qeveria e Kosovës një ditë më parë kërkoi që përgjigjet të merren nga BE-ja.
“Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur është në Prishtinë”, ka thënë të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Por gjatë ditës së enjte, Bashkimi Evropian nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet dhe arsyet pse ato kushte janë të papranueshme për të si ndërmjetës në dialog.
Për vërejtjet që ka marrë, të enjten nuk ka folur kryeministri Albin Kurti. Por, ka paraqitur një tabelë të komunave në Serbi që udhëhiqen nga kryetarë joserbë, derisa ka pyetur se pse atyre nuk iu mundësohet një asociacion njëetnik.
- Advertisement -
“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjtë, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserbë. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?” ka shkruar Kurti.