Bashkimi Evropian njofton për takimin e të enjtes, më 14 shtator, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Sipas njoftimit të BE-së, dy liderët do t’i pres në takim përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.
Sipas njoftimit për media, Borell së bashku me përfaqësuesin special të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00 e mëngjesit, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.
Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale, njofton BE.
“Do të ketë një deklaratë për mediet nga përfaqësuesi i lartë në përfundim të takimeve në godinën e EEAS. Deklarata për shtyp e Josep Borrell do të transmetohet drejtpërdrejte”, thuhet në njoftim.