Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u prit sot në Athinë nga homologu i tij, Kostas Fragoggianis, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës të Greqisë.
Dhjetë muaj pas nënshkrimit të Deklaratës së Synimeve nga të dy zëvendësministrat, u diskutua mbi të arriturat në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës dhe Republikës të Greqisë, të mundësuara nga ky dokument. U vlerësua lartë nënshkrimi i marrëveshjes mes Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës të Greqisë, për Programin e Mjekësisë Fetale, nëpërmjet së cilës zhvillohet kujdesi i specializuar për gratë shtatzëna, duke mundësuar dy bursa studimi për stafin mjekësor të Kosovës, pajisje të nevojshme dhe shkëmbim të përvojave për ndërtimin e strukturave të nevojshme përbrenda sistemit shëndetësor të Kosovës, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Palët përshëndetën intensifikimin e marrëdhënieve tregtare mes të dyja vendeve dhe shqyrtuan mundësitë që jep Memorandumi i Bashkëpunimit mes KIESA dhe Enterprise Greece dhe Forumi i përbashkët Ekonomik, për vendosjen dhe thellimin e marrëdhënieve të kompanive të Kosovës dhe atyre greke, nga sektorët me interes të veçantë për të dyja palët.
Zëvendësministrat e punëve të jashtme diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Evropën Juglindore dhe nevojën e bashkëpunimit të shteteve demokratike për t’i bërë ballë ndikimeve autoritare në rajon. Z. Ahmeti falënderoi z. Fragoggianis për mbështetjen që Greqia i ka dhënë deri më tani synimeve multilaterale të Republikës së Kosovës dhe argumentoi nevojën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve, duke njohur formalisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, si një realitet të pakthyeshëm dhe të drejtë, siç është vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.