Kreditë në nëntor të vitit 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Banka Qendrore e Kosovës parasheh që viti 2024 të përmbyllet me rritje ekonomike prej 4.3%, ka thënë guvernatori i saj, Ahmet Ismaili.
Ai ka shtuar se nivelin e rritjes 4.2 deri në 4.4% e parashohin të ndodhë më 2025-2026. Ismaili ka thënë më tej se aktiviteti ekonomik deri në shtator 2024 është rritur me 4.6%, teksa ka theksuar se BQK pret që inflacioni të mbyllet me 1.6% për këtë vit.
“Ne presim që viti 2024 të mbyllet me një rritje prej 4.3%. nivelin e rritjes 4.2 deri në 4.4% e parashohim të ndodhë më 2025-26. Aktiviteti ekonomik deri në shtator 2024 është rritur me 4.6%. Kemi një stabilizim të inflacionit, i cili është në linjë me zhvillimet tjera në botë”.
Ismaili ka potencuar se kreditë përbëjnë shumicën e aseteve, nga 536 milionë ai ka thënë se 505 milionë euro janë kredi e që kanë pasur trend rritës në ekonomi.
- Advertisement -
“Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ndërsa, depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Gjithsej, depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 448.5 milionë euro ose 7.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrencës më intensive midis bankave për tërheqjen e depozitueseve”.
Ndërkaq, ka përmendur edhe fenomenin e parave të falsifikuara gjatë këtij viti.
“Ka vazhduar lufta ndaj fenomenit të parasë së falsifikuar. Rreth 4 milionë copë monedha janë tërhequr nga qarkullimi, jo sepse kanë qenë të dyshimta, por për shkak të nevojë për të furnizuar të reja komplet në sektorë që të jetë e lehtë të dihet çka është e falsifikuar e çka e re. Prej tyre, rreth 81 mijë copë janë të dyshuara për të falsifikuara”.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e investimeve të huaja direkte, theksoi Ismaili, të cilat kanë arritur në 657 milionë euro. Ky trend pozitiv, sipas pritshmërive të BQK-së, do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026.
“Investimet e huaja direkte kanë arritur në 657 milionë euro, që tregon një rritje, dhe ne presim që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet 2025-2026. Eksporti i shërbimeve vazhdon me një trend pozitiv”.
- Advertisement -
Ndërkohë, asetet e sektorit financiar, pa përfshirë BQK-në, kanë arritur në 12.2 miliardë euro, ndërsa totali, duke përfshirë BQK-në, është 14.2 miliardë euro.
“Asetet e sektorit financiar kanë arritur në 12.2 miliardë euro pa përfshirë BQK-në, ndërsa 14.2 miliardë euro me përfshirë BQK-në”./ Monitor
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.