Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nga Norvegjia e kryesuar nga Ingjerd Schou.
Përmes një njoftimi për medie, bëhet e ditur se Avokati i Popullit, Qelaj, informoi të pranishmit për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në vend, sundimin e ligjit dhe demokracisë, gjithashtu foli edhe për mandatin dhe kompetencat e tij, si dhe për punën dhe aktivitetet në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut.
Ai shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një hap i jashtëzakonshëm dhe me ndikim shumë të madh për qytetarët e Kosovës, si garanci e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Ndërkaq, nga ana e saj, Ingjerd Schou bëri të ditur arsyen e vizitës në Kosovë, sipas së cilës është në kuadër të një udhëtimi studimor dhe se delegacioni është i interesuar që të mësojë më shumë për zhvillimet demokratike në vend. Ajo shtoi se Norvegjia e mbështet Kosovën në aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në integrimet evropiane si dhe në zhvillim të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
- Advertisement -
Avokati i Popullit u përgjigj në interesimin e anëtarëve të delegacionit, ku, ndër të tjera, theksoi se Institucioni, në krye të së cilës është, punon shumë për të promovuar të drejtat e njeriut përmes fushatave vetëdijësuese, organizimin konferencave dhe tryezave, ligjëratave, publikimit të opinioneve dhe qëndrimeve të Avokatit të Popullit, prezencës në media dhe të gjitha formave tjera të promovimit.
Qelaj tha se Institucioni çdo vit pranon më shumë se 1500 ankesa nga qytetarët, derisa këtë vit, deri më tani, ka pranuar mbi 1.200 ankesa, që, kryesisht, kanë të bëjnë me të drejtën për mjet efikas juridik, mungesa e përgjigjeve nga autoritetet, zvarritjet e procedurave gjyqësore, shkeljet nga marrëdhënia e punës, të drejtave sociale dhe shëndetësorë, etj.
Ai gjithashtu theksoi se ekziston një trend në rritje në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet publike, kjo falë angazhimit shumëvjeçar të Avokatit të Popullit dhe vullnetit institucional, si rezultat i ngritjes së vetëdijes institucionale për peshën dhe rendësin që ka zbatimi i rekomandimeve.
Ai shtoi se autoritetet duhen të bëjnë më shumë për të zbatuar këto rekomandime, në mënyrë që të drejtat e qytetarëve të respektohen dhe të rivendosen.