Një mal me shkelje e pagesa antiligjore ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2023.
Raporti i publikuar në qershorin e këtij viti flet për dhjetëra pagesa dhe ndryshime kontratash pa dijeninë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, si dhe për favorizim biznesesh e OJQ-sh nga ana e kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, raporton Kiks Kosova.
Auditori ka identifikuar të paktën 8 raste, kur Kryetari Rama ka bërë ndryshime në shumat e buxhetit për projekte kapitale pa aprovimin e Kuvendit Komunal, vlera totale e këtyre pagesave është hiç më pak se sa 2 milionë e 209 mijë euro.
Katër projekte që kapin vlerën e 767 mijë eurove janë paguar me urdhër të Ramës, pa u pyetur Kuvendi Komunal, për çka është shkelur ligji i Buxhetit.
- Advertisement -
Në 5 raste, sipas Auditorit të Përgjithshëm, Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm dhe më të shtrenjtë për t’u dhënë tenderë.
Një tjetër gjetje që flet për mosfunksionimin e kontrolleve të brendshme dhe mungesën e përgjegjësisë për zbatimin e kërkesave ligjore të Komunës së Prishtinës është edhe subvencionimi i OJQ-ve, pa kriter e thirrje publike.
Edhe në dhënien e lejeve të ndërtimit, Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje ligjore.
Komuna e Prishtinës, sipas auditorit, ka dështuar edhe në menaxhimin e pronave publike. /Klankosova.tv