Deputeti i Listës “Guxo”, Burim Meta ka ironizuar fort me nismën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Kurti, përmes një mocioni mosbesimi në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Kjo iniciativë tash për tash është vetëm nismë dhe ende nuk ka asgjë zyrtare në rast se mund të shkoj në Kuvendin e Kosovës.
Gazeta Blic ka kontaktuar me deputetin e Listës Guxo, i cili ka shprehur ‘dhembshuri’ me partinë që drejtohet nga Ramush Haradinaj për mocionin për rrëzimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
“Unë e di që ata e dinë që në rast se ky mocion vjen në Kuvend, AAK nuk do ta kalojë as pragun në zgjedhjet e ardhshme. Kështu që jam i kujdesshëm dhe i përmbajtshëm në përkrahje të këtij mocioni të propozuar nga AAK-ja. Ata nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit të Kosovës”, tha Meta për Gazeta Blic.
- Advertisement -
Ky deputet i Kuvendit të Kosovës ka komentuar edhe sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Sipas tij, secili organizëm në kuadër të Bashkimit Evropian para çdo masa duhet të jetë objektiv.
“Sanksionet natyrisht nuk janë të mira, nuk janë të pranueshme për ne, por vlerësoj e mendoj që vlerësimi për situatën në Kosovë, për Qeverinë e Kosovës do të bëhet në mënyrë më objektive nga ana e Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe mekanizmave tjerë të BE-së”, tha Meta.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka më shumë se një muaj që me çdo kusht po insiston që kjo Qeveri të bie për shkak të raporteve dhe sanksioneve ndaj Kosovës nga SHAB dhe BE ditëve të fundit.
Madje, Haradinaj e ka cilësuar akt kombëtar rrëzimin e albin Kurtit nga pozita që mbanë.
- Advertisement -
Haradinaj në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës publikisht i është drejtuar Memli Krasniqit të PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, që të lëvizin me hapa të shpejt në mënyrë që mocioni për rrëzimin e Qeverisë të procedohet në organin më të lartë legjislativ të vendit.
Në rast se këto tri parti PDK, LDK dhe AAK bëhen bashkë, matematikisht numrat nuk janë në Kuvendin e Kosovës, pa përjashtuar këtu se mund të ketë ndonjë deputet nga pushteti që mund të japin votën e tyre pro idesë së AAK-së.