Kanë kaluar më shumë se nëntë orë që kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nisën ndaras takimet bilaterale në Ohër.
Fillimisht me përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, Josep Borell dhe me emisarin e BE për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Diskutimet po vazhdojnë lidhur me planin e zbatimit të propozimit europian për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt.
Fillimisht krerët e shteteve u takuan ndaras me përfaqësuesit e BE-së. Më tej, pas orës 15:00 ka nisur takimi trepalësh.
Ky takim zgjati për një orë fillimisht para një pauze, për t’u ritakuar sërish. Nga ora 18:20 palët janë në pjesën e dytë të takimit dhe ende po vazhdojnë diskutimet.
- Advertisement -
Bisedimet janë zgjatur nga çfarë ishte planifikuar për shkak të pikës që ka të bëjë me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Që nga nisja e takimeve s’ka pasur asnjë deklaratë të krerëve apo ndërmjetësve. Pas takimit, pritet që secili t’u drejtohet gazetarëve, ndërsa Borrelli të zhvillojë edhe një konferencë për mediat.