Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka thënë më 9 shkurt se, së shpejti, do të thirret një takim mes Kurtit e Vuçiçit për të diskutuar planin evropian për raportet e ardhshme Kosovë-Serbi.
Për Qeverinë e Kosovës, kjo është “përpjekje e Serbisë për t’iu shmangur diskutimeve për planin evropian”.
Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, nga Qeveria thanë se presin që takimet e radhës në Bruksel, kurdo që të mbahen, “të jenë mundësi e mirë për të adresuar çështje në kuadër të propozimit evropian”.
Ata thanë se janë të gatshëm për “takime të nivelit të lartë politik, me agjendë të qartë paraprake” dhe me qëllim të diskutimeve “për marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kurti ka thënë më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është prioritet për të, ndonëse, më 2 shkurt, ka paraqitur disa kushte për formimin e tij.
- Advertisement -
Sipas një burimi të BE-së, qëndrimet kushtëzuese të Prishtinës dhe Beogradit “krijojnë pengesën më të madhe për caktimin e datës së takimit” në Bruksel.