Nuk ka pasur kërkesa eksplicite ndaj partive opozitare në Kosovës nga ana e të dërguarve të posaçme të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, dhe të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, thonë zyrtarët e këtyre partive. Lajçak dhe Escobar, më 6 maj, u takuan me liderët e tri partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Siç thonë zyrtarët e këtyre partive, në takim me diplomatët perëndimorë, kanë diskutuar lidhur me krizën aktuale në veri të Kosovës dhe kërkesat e Perëndimit ndaj Qeverisë së Kosovës për të dalë nga gjendja e krijuar atje.
Njohësi zhvillimeve politike, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare Lëvizja Çohu, beson se Lajçak dhe Escobar kanë diskutuar me partitë opozitare edhe për mundësitë alternative për të dalë nga situata e krijuar. Kriza në veri, por edhe në raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë, kanë nisur si pasojë e veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilët me ndihmën e policisë kanë mundësuar hyrjen në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të kryetarëve të rinj shqiptarë, më 26 maj. Ata janë kundërshtuar nga qytetarët serbë në komunat në veri të Kosovës, të cilët kanë bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të këtyre komunave. Kundërshtimet janë manifestuar me protesta, të cilat kanë rezultuar me përplasje të protestuesve më Policinë e Kosovës, por edhe më pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, më 29 maj, ku pati disa dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.
Lajçak dhe Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, më 5 dhe 6 qershor, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Të dy diplomatët perëndimorë kanë thënë se lidhur me këto kërkesa, presin një përgjigje nga kryeministri Kurti, deri ditën e premte. Të dy emisarët kanë vizituar edhe Beogradin dhe kanë kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe që ai të ndikojë te qytetarët serbë atje për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja lokale.
Për pasojat “është biseduar sipërfaqësisht”
Vlora Çitaku, nënkryetare e partisë më të madhe opozitare, PDK, thotë për Radion Evropa e Lirë se takimi me Lajçakun dhe Ecobarin ka qenë i rregullt. Takimi, sipas saj, ka qenë në frymën e informimit rreth zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, si dhe “për ngritjen e alarmeve të shqetësimit për raportet e rënduara ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj”. Se a është folur lidhur me masat eventuale që BE-ja dhe SHBA-ja mund të marrin ndaj Kosovës në rast se Kurti nuk i pranon kërkesat e partnerëve perëndimorë, Çitaku nuk ka specifikuar se për çfarë masash eventuale është biseduar.
- Advertisement -
“Është folur vetëm sipërfaqësisht. Sigurisht që ne kemi kërkuar që Kosova mos të pësojë për shkak të një njeriu. Kosova është më e madhe se një individ dhe nuk i takon një njeriu dhe Kosova nuk duhet ta paguajë çmimin e sjelljes amatoreske dhe aventureske të kryeministrit Kurti”, thotë Çitaku. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson se në takimin me Lajçakun dhe Escobarin është folur për shqetësimet lidhur me situatën në veri të vendit dhe për ngërçin e krijuar në raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë. Ai thotë se nuk është folur shumë për pasojat e mundshme për Kosovën në rast se kryeministri Kurti nuk pranon kërkesat e këtyre partnerëve.
“Ky ballafaqim i ndërmjetësit ndërkombëtar dhe të dërguarit amerikan është me këtë pjesë [Qeverinë e Kosovës], sepse ata janë bartësit kryesorë. Ata janë përgjegjësit kryesorë dhe në këtë rast ata do të bartin pasojat kryesore. Dhe neve na gëzon fakti që nuk do të ketë pasoja kolektive”, thotë ai. As Haziri nuk saktësoi se për çfarë pasojash eventuale mund të bëhet fjalë. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën, më 7 qershor, ka shprehur mendimin para mediave se veprimet e Qeverisë së Kosovës, duhet të ndodhin brenda afatit të caktuar nga partnerët perëndimorë.
Në të kundërtën, ai tha se opozita e ka numrin e domosdoshëm për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës. “Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte e dobishme për gjithë spektrin politik, përshirë edhe për shumicën në pushtet. Votat janë. Opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin”, tha Haradinaj.