Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Italisë në vend, Maurizio Antonini. Në këtë takim të parë zyrtar, Kurti e uroi ambasadorin për detyrën e re dhe vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës ndër vite.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë bisedës u theksua partneriteti i ngushtë mes dy vendeve, duke veçuar rolin e rëndësishëm të Italisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR.
Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe shkëmbimeve kulturore.
Kryeministri Kurti shprehu gjithashtu mirënjohje për përkrahjen që Italia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.