Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka deklaruar se vrasja e Liridona Ademajt tregon se sa e rëndësishme është të punohet në adresimin e çështjeve të dhunës, dezinformimin në baza gjinore, dhunën online dhe dhunën ndaj grave në politikë.
“Këtë javë patëm edhe një lajm tjetër për një rast të dyshuar të femicidit dhe kjo tregon sa është urgjente të punojmë në adresimin e këtyre çështjeve në nivel të shoqërisë”, ka theksuar Hovenier në konferencën për Integritetin e Informacionit DISICON, organizuar nga NDI.
Tutje ambasadori amerikan theksoi se në çështjen e integritetit të informatave është shqetësuese gjuha e urrejtjes kundër grave, pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe komuniteteve tjera në internet.
“Nëse lihen pa kontroll këto manifestime të gjuhës së urrejtjes ato shpërndahen në rrjetet sociale dhe e nxisin dhunën dhe ndarjen e të gjitha llojeve. Edhe vet akterët keqdashës mund t’i përdorin dezinformatat për eliminimin e kritikëve të tyre dhe për konsolidimin e pushtetit. Mënjanimi i grave dhe të anashkaluarve tjerë nga skena politike është pjesë rrënjësore e kësaj strategjie”, ka theksuar Hovenier.
- Advertisement -
Ai ka thënë se ka ende ka shumë vend për përmirësim, jo vetëm në Kosovë, po në aspektin global. “Duhet ta marrim me seriozitet dhe duhet të përgjigjemi me efikasitet për t’i ndalur aktet keqdashëse. Anketat e kohëve të fundit tregojnë se 76 për qind e qytetarëve mendojnë që partitë politike duhet të mundësojnë pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në politikë, derisa 62 për qind besojnë që ngacmimi në internet dhe portretizimi negativ në politik dekurajon pjesëmarrjen e grave në politikë. Këto statistika na tregojnë se qytetarët kosovarë janë të gatshëm për ta mbështetur ndryshimin”, tha më tej ambasadori amerikan.