Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim me zëvendësndihmëssekretarin e SHBA-së për Çështjet Europiane, dhe i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj, bëri të ditur se, në fokus të takimit ishte fushata zgjedhore dhe përgatitja e PD-së për zgjedhjet e 14 majit.
“Gjatë bisedës prekëm tema të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek përgatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve. Theksova refuzimin e qeverise për të adresuar në Kodin Zgjedhor rekomandimet e ODHIR. Përveç kësaj i bëra me dije shkeljen që po ndodh aktualisht nga qeveria të rekomandimeve të ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës, përdorimin në fushatë te administratës publike, përdorimi i të dhënave personale dhe buxhetit të shtetit në funksion të zgjedhjeve e sidomos lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve”, u shpreh ai.
Po ashtu, Alibeaj tha se, “temë e bisedës ishin dhe zhvillimet në Partinë Demokratike, dinamikat e muajve të fundit dhe qëndrimi konstant për çështjen e personave “non grata”, jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare”.
- Advertisement -
“E sigurova zotin Escobar për vullnetin e PD në bashkëpunimin me aleatin tonë kryesor, duke i konsideruar SHBA si mbështetës të angazhuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”, theksoi Alibeaj.