Këngëtarja e njohur, Albina Kelmendi, e cila bashkë me familjen e saj sonte përfaqësojnë Shqipërinë në finalen e Eurosong-ut, përmes RTK-së i fton të gjithë shqiptarët që ta votojnë këngën e tyre “Duje”.
“Përshëndetje për Radiotelevizionin e Kosovës, i cili e transmeton Eurovisionin drejtpërdrejt për të gjithë juve që dëshironi ta ndiqni. Nuk kemi dyshim që edhe sonte do të jeni të gjithë shqipet së bashku. Mos harroni ta votoni numrin 10. Urojmë t’ju bëjmë krenarë, siç ju kemi bërë deri më tani. Faleminderit për mbështetjen”, ka thënë Albina Kelmendi për RTK, pak orë para finales së madhe.
Albina dhe Familja Kelmendi, me këngën e tyre “Duje”, të shtunën mbrëma do të paraqiten në finalen e Eurosong-ut, në Liverpool të Anglisë.
Radiotelevizioni i Kosovës transmeton drejtpërdrejtë këtë ngjarje kulturore, nga 21:00, në #RTK1, #RadioKosova1, si dhe në faqen rtklive.com, por vetëm për territorin e Kosovës.