Kosova ka pësuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij. Në raportin e publikuar më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete, duke u pozicionuar më poshtë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Kjo është hera e dytë radhazi që Kosova shënon rënie në këtë indeks, pas kalimit nga vendi i 56-të në të 75-in vitin e kaluar.
Reagime nga AGK dhe ekspertët e medias
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me shqetësim, duke e cilësuar këtë rënie si “drastike” dhe “renditjen më të ulët që prej vitit 2015”. AGK e ka lidhur përkeqësimin me, siç e ka quajtur, një politikë armiqësore ndaj mediave të ushtruar nga Qeveria e Kosovës dhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, gjatë dy viteve të fundit.
Kritika të ngjashme janë shprehur edhe nga Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit, e cila ka renditur një sërë faktorësh që, sipas saj, kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës, përfshirë:
- Advertisement -
Sulmet politike ndaj gazetarëve;
Diskreditimi i tyre me akuza për bashkëpunim me “armikun”;
Ligji për Komisionin e Pavarur për Media (tashmë i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese);
Bojkoti i mediave nga partia në pushtet para zgjedhjeve;
Moszbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike;
- Advertisement -
Mungesa e ndjekjeve penale për sulme ndaj gazetarëve;
Paditë strategjike (SLAPP) për heshtjen e mediave.
Kusari ka kërkuar themelimin urgjent të një komiteti kombëtar për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe një qasje bashkëpunuese nga Qeveria ndaj mediave dhe shoqërisë civile.
- Advertisement -
Kritika për Ligjin për KPM-në dhe presionet politike
Në raport përmendet edhe ligji i miratuar vitin e kaluar për Komisionin e Pavarur për Media, i cili u kritikua për tendencat për të kufizuar mediat online dhe për të rritur kontrollin institucional. Ligji parashihte gjoba deri në 40 mijë euro dhe mbikëqyrje të shtuar. Ai u rrëzua këtë javë nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se disa nga dispozitat e tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Raporti vëren se gjatë vitit 2024, Lëvizja Vetëvendosje është kritikuar për bojkotimin e disa prej mediave kryesore në vend, përfshirë Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7. Qeveria e ka mohuar bojkotin, duke e cilësuar si “përjashtim të përkohshëm” dhe jo shkelje të diversitetit mediatik.
Sipas raportit, edhe mediat në gjuhën serbe janë përballur me kufizime të qasjes në informacione publike dhe me presione të tjera politike, veçanërisht në kontekstin e tensioneve Kosovë-Serbi.
Rritje e sulmeve dhe mungesë ndëshkimesh
Vetëm gjatë vitit 2024, AGK ka regjistruar 24 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa më 2023 ky numër ishte 53. Reporterët pa Kufij theksojnë se gazetarët në Kosovë shpesh janë cak i fyerjeve dhe dezinformatave në rrjetet sociale, shpesh duke u akuzuar padrejtësisht për bashkëpunim me “armikun”.
Raporti shton se edhe pse policia dhe prokuroria ndjekin rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, shumë prej tyre nuk përfundojnë me ndjekje penale.
Kosova në krahasim me vendet e rajonit
Në rajon, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut (42), Bosnja e Hercegovina (86) dhe Serbia (96). Shqipëria shënon përmirësim të ndjeshëm, duke u ngjitur nga vendi i 99-të në të 80-in.
Në një kontekst më të gjerë, raporti vë në dukje se media të pavarura në Evropë dhe Azinë Qendrore përballen me krizë të thellë financiare, të ndikuar nga shkurtime të fondeve ndërkombëtare dhe rritja e ndikimit të propagandës autoritare, përfshirë atë ruse.