Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit J. Sh. i nacionalitet boshnjak, për kryerje të veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit, i pandehuri akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, ka marr pjesë në vrasjen e tre civile të nacionalitet shqiptar, e të cilat kanë ndodhur në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë.
“Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se i pandehuri ka marr pjesë në dëbimin e familjes Dyla dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre. Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.