Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në komunikacionin rrugor, pasi tre persona humbën jetën në një aksident trafiku në Skenderaj.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe.
Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti.
Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”, shkruan ai në një postim në Facebook.
Sipas Policisë së Kosovës, më 26 janar në fshatin Çubrel të Skenderajt, dy vetura u përfshin në një aksident trafiku. Një nga to ishte veturë zyrtare e Policisë.
- Advertisement -
“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civilë, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë”, u tha në njoftimin e Policisë.
Lidhur me aksidentin me fatalitet ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ai ka thënë se është i tronditur nga kjo ngjarje dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Të lënduarve të tjerë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar në Facebook Konjufca.
Policia tha se në vendngjarje kanë dalë autoritetet kompetente për të hetuar shkakun e aksidentit, ndërkaq Kurti tha se shpejt do të ketë “një pasqyrë edhe më të plotë” për këtë rast.
Për shkak të përfshirjes së zyrtarëve policorë në këtë aksident, Inspektorati Policor i Kosovës po ashtu është përfshirë në hetimin e këtij rasti./REL